Udhëheqësit e G7 për Putinin: E ka vënë veten në anën e gabuar të historisë
Udhëheqësit e G7, në një deklaratë të përbashkët pas një takimi virtual të enjten, thanë se presidenti rus Vladimir Putin ka “rifutur luftën në kontinentin evropian”.
“Ai e ka vënë veten në anën e gabuar të historisë”, shkruan udhëheqësit.
“Ne dënojmë presidentin Putin për refuzimin e tij të vazhdueshëm për t’u përfshirë në një proces diplomatik për të adresuar çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë evropiane, pavarësisht ofertave tona të përsëritura”, thuhet në deklaratë, përcjellë rtv21.tv
“Ne qëndrojmë të bashkuar me partnerët, duke përfshirë NATO-n, BE-në dhe vendet e tyre anëtare, si dhe Ukrainën dhe mbetemi të vendosur për të bërë atë që është e nevojshme për të ruajtur integritetin e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, thuhet tutje në deklaratë.
Siç raporton BBC, takimi i G7 përfundoi pas më shumë se një ore, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.
Pjesëmarrësit e takimit ishin: presidenti i SHBA-ve Joe Biden, kancelari gjerman Olaf Scholz, kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri i Italisë Mario Draghi, kryeministrja e Japonisë Kishida Fumio, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg./21Media