Uji depërton në bodrumin e Onkologjisë, dëmton aparaturën e Radioterapisë
Nga reshjet atmosferike, uji ka arritur në bodrumin e Klinikës së Onkologjisë në QKUK. Si pasojë e kësaj është dëmtuar aparatura e Radioterapisë, e cila për momentin është jashtë funksionit.
“Ekipet e Klinikës së Onkologjisë, bashkë me sektorin teknik dhe atë të pajisjve mjekësore të QKUK-së, kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme duke ç’kyçur nga puna aparaturën e radioterapisë, me qëllim të parandalimit të pasojave të pa paparashikueshme. Në ndihmë kanë ardhur edhe ekipi zjarrëfikësve dhe shërbimve komunale të cilët kanë asistuar gjatë gjithë kohës. Apratura e Radioterapisë për momentin është jashtë funksionit, kurse shërbimet e tjera në Klinikën e Onkologjisë po ofrohen normalisht”, thuhet në njoftmin e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës – SHSKUK.
Ekipi i kontraktuar për mirëmbajtje të aparaturës mjekësore është duke analizuar situatën e aparaturës së radioterapisë dhe bazuar në vlerësimin final dhe testimet e nevojshme, Kolegjiumi i Klinikës së Onkologjisë do të dalë me rekomandime se si do veprohet më tutje me trajtimin e rasteve në radioterapi.
SHSKUK bëri të ditur se të gjithë pacientë e planifkuar për radioterapi janë njoftuar përmes telefonit në lidhje me situatën e krijuar dhe do të mbahen të informuar./21Media