Ukraina bën thirrje për veprim për të rihapur portet për eksportin e grurit

Ministria e Jashtme e Ukrainës informoi se po punon me vende të tjera si pjesë e fushatës së saj për t’i dhënë fund bllokadës detare ruse të porteve të saj, në mënyrë që eksportet e grurit të rifillojnë.
Kievi tha se dëshiron që OKB-ja të ndërhyjë për të rivendosur aksesin e saj në Detin e Zi, në mënyrë që të mund të rifillojë dërgesat e prodhimeve bujqësore.
Anijet ruse po pengojnë anijet ukrainase të largohen nga porti – që do të thotë se miliona tonë drithë nuk mund të dorëzohen. Shumë vende tani përballen me mungesë gruri dhe mungesa e furnizimit po kontribuon në rritjen e çmimeve për ushqimet kryesore, shkruan BBC, përcjell rtv21.tv
“Ne u bëjmë thirrje vendeve, siguria ushqimore e të cilave mund të vuajë më shumë nga agresioni rus kundër Ukrainës, që të përdorin kontaktet e tyre me Moskën për ta detyruar atë të heqë bllokadën e porteve detare të Ukrainës dhe t’i japë fund luftës”, shkroi në Facebook zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Oleg Nikolenko.
Një numër vendesh afrikane janë goditur nga rritja e çmimeve dhe presidenti senegalez Macky Sall, ka thënë se do të takohet nesër me Vladimir Putinin e Rusisë për të diskutuar krizën./21Media

Back to top button