Policia thotë se s’ka pasur aktivitet të paralajmëruar në Kishën Ortodokse

Tre persona, dy prej së cilëve shtetas të huaj, janë ndaluar sot rreth orës 04:30 nga një njësi patrulluese policore në qendër të Prishtinës.
Rastin për rtv21.tv e ka bërë të ditur Agron Borovci, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.
Borovci ka thënë se pasi që janë kryer veprimet e nevojshme verifikuese nga ana e Policisë, të njëjtit janë lënë të lirë.
Kurse ndërlidhur me pretendimet për ndonjë aktivitet fetar, përveç liturgjisë së Kishës Ortodokse që po vazhdon të mbahet në fshatin Bardhosh të Komunës së Prishtinës, Borovci ka thënë se nuk ka ndonjë aktivitet tjetër të paralajmëruar.
“Ky aktivitet ka qenë i paralajmëruar dhe për aq sa i takon Policia po monitoron ngjarjen për të lehtësuar rrjedhën normale të tij”, ka thënë ai.
Ndryshe, gjatë ditës, nga Kisha Ortodokse është ankuar se Policia e Kosovës nuk ka lejuar organizimin e liturgjisë në Kishë, për nder të Festës së Shpëtimtarit./21Media

Back to top button