“Unë konsumoj produkte vendore, Po Ju?”

Fillon fushata “Javët e Biznesit Kosovar”

Aleanca Kosovare e Bizneseve bëri hapjen e fushatës “Javët e Biznesit Kosovar 2018” traditë 16 vjeçare me moton “Unë konsumoj produkte vendore, Po Ju?”, që mision ka rritjen e vetëdijes konsumuese me prodhime vendëse Made in Kosova e fillon nga sot.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini tha se qëllimi i “Javët e Biznesit Kosovar 2018” është që sa më shumë të konsumohen prodhimet vendëse. E gjithë kjo bëhet për zhvillimin ekonomik të vendit.

AKB-ja që nga themelimi misionin e saj e ka që të mbështes prodhimet vendore.

Ai foli edhe për vendimin e Qeverisë për vendosjen e taksës ndaj Serbisë, ku tha se është një taksë e drejtë, kjo që ishte kërkesë që nga viti 2008 e AKB-së. Fituese e taksës prej 100 për qind janë bizneset vendëse, të cilat duhet prodhojnë e zëvendësojnë prodhimet në vlerë rreth 400 milionë euro nga Serbia.

“Serbia vetëm ekonomikisht e di mirë gjuhën e humbjes. Prodhuesit serbë po protestojnë në heshtje dhe se humbjet e tyre janë shumë të mëdha, pas taksës së marr nga Kosova“, tha Shahini.

Kreu i AKB-së tha se në Kosovë mbetet një konkurrencë e padrejtë, ndërsa ashpërsia e saj vjen nga vendet e CEFTA-s. Serbia ishte e ashpër në Kosovë dhe gjithashtu shumë prezente me prodhimet e saj, e prodhuesit vendës nuk kanë mundur ta përballojnë këtë.

“Tash prodhuesit e vendit duhet të prodhojnë më shumë, por duhet të kenë kujdes edhe me çimimet. Kërkoj nga ata që mos ta shfrytëzojnë këtë moment për të keqen e konsumatorit dhe të mirën e vendit. Duhet të sakrifikojmë diçka nga vetja për të përfituar më shumë për shtetin“, tha Shahini.

Kjo taksë tenton ta detyron Serbinë për 12 pikat e prezantuara në Bruksel që t’i zbatoj. Serbia e di vetëm gjuhën e humbjes. Fitorja jonë është tek prodhuesit vendës. Furnizimi duhet të jetë konstant dhe ata duhet t‘í përgjigjen konsumatorit në çdo moment.

“Tregtarët e vendit i ftoj të i hapin dyert edhe më shumë për prodhim vendi. Kjo fushatë 1 mujore e ka këtë qëllim që të vetëdijësohemi, sepse nuk ka prodhime tona që gjenden në tregjet e Serbisë. Neve na ka munguar ky nacionalizëm ekonomik. Njëherë e përgjithmonë të vetëdijësohemi për konsumimin e prodhimeve vendëse“, tha kryetari i AKB-së.

Menaxherja Lumnije Ajdini tha se tash gjashtëmbëdhjetë vjet e presin këtë vendim të Qeverisë, ku AKB-ja ka bërë edhe thirrje për të konsumuar prodhimet vendëse.

Ajo tregoi se gjatë “Javëve të Biznesit Kosovar ” do të ketë aktiviteteve të ndryshme nga 27 nëntori deri me 14 dhjetor, ku do të ketë aktivitete të ndryshme./21Media

Back to top button