“Unë po pi kafe me Florentin”, Gjini: Në vendin tonë nuk duhet të ketë vend për kurrfarë diskriminimi
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili tha se në një lokal në Gjakovë nuk iu është shërbyer disa të rinjve egjiptianë.
Gjini ka publikuar një fotografi duke pirë kafe me Florentin, i cili i përket këtij komuniteti.
“Unë po pi kafe me Florentin! Florenti është një djalë i jashtëzakonshëm, mik dhe mbështetës i imi në zgjedhjet e fundit”, ka thënë Gjini.
Tutje, ai ka theksuar se në vendin tonë nuk duhet të ketë vend për kurrfarë diskriminimi. “Le të nxjerrim mësim të gjithë dhe të mos i përsërisim gabimet. Na kushtojnë të gjithëve!”, ka shkruar Gjini në Facebook.
Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka bërë thirrje që të bojkotohen lokalet ku nuk u shërbehet komuniteteve.
Nga ana tjetër, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut(KMDLNj) ka kërkuar hetime të shpejta nga Policia e Kosovës lidhur më këtë rast. ipas KLDMNj-së, bojkotimi i lokaleve që eventualisht paskan refuzuar të shërbejnë pjesëtarët e komuniteteve nuk është përgjigje e duhur dhe , siç vlerëson KMDLNj është masë e lehtë prandaj , si masë parandaluese efikase dhe e domosdoshme duhet të jetë veprimi i shpejt i ligjit.
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Minstrija e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila ka shkruar se refuzimi për t’i shërbyer komuniteteve joshumicë është i papranushëm dhe i dënueshëm. “Kjo nuk duhet të ndodhë askund dhe asnjëherë. Barazi dhe jo diskriminim”, ka shkruar Haxhiu në Facebook. / 21Media