UNICEF i ka dërguar 29 gjeneratorë në Kherson

UNICEF tha se ka ofruar 29 gjeneratorë të energjisë në rajonin Kherson, të cilët do të ndihmojnë në rivendosjen e energjisë elektrike, ujit dhe ngrohjes në zonën jugore të Ukrainës dhe do të përfitojnë rreth 12,000 banorë.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara tha se 15 gjeneratorë u dorëzuan për të siguruar që objektet e kujdesit shëndetësor mund të funksionojnë në komunitetet Novovorontsovska, Velyko Oleksandrivska dhe Vysokopillia, transmeton rtv21.tv.
“Qasja në kujdesin shëndetësor dhe uji është një e drejtë themelore, kështu që aksesi i fëmijëve në shërbimet kritike duhet të rikthehet sa më shpejt të jetë e mundur. Ne jemi të përkushtuar të ofrojmë furnizimet dhe shërbimet e nevojshme për ta bërë këtë,” tha Përfaqësuesi i UNICEF-it në Ukrainë, Murat Sahin.
14 gjeneratorë të tjerë iu dorëzuan gjithashtu autoriteteve lokale për të mbështetur ndërmarrjet e ujësjellësit në ato zona për banorët dhe shërbimet e urgjencës, tha UNICEF.
“Ne po punojmë për të rikthyer territoret e deokupuara dhe nuk ka mundësi që të riparohen të gjitha tubacionet e ujit dhe linjat e transmetimit të energjisë para fillimit të sezonit të dimrit. Gjeneratorët e energjisë do të ndihmojnë në plotësimin e nevojave akute para dimrit dhe kjo është një ndihmë thelbësore për popullsinë vendase”, tha kreu i administratës ushtarake rajonale Kherson, Yaroslav Yanushevych./21Media

Back to top button