“Universiteti politik ua humbë afatin e janarit studentëve, të thirren në përgjegjësi”

Sipas KMDLNj- së, ka shumë forma tjera të manifestimit të pakënaqësisë

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar për grevat e institucioneve arsimore,  sipas tyre, këto greva janë duke u shkaktuar humbje studentëve dhe se këkesat e SBASHK-ut janë të natyrës materiale.

“Si kamikaz , ka hyrë në mision të shkatërrimit të arsimit duke ua mohuar nxënësve të drejtën elementare të njeriut , të drejtën për shkollim cilësorë e që këtë SBASHK –u asnjëherë nuk e ka kërkuar. Kërkesat e SBASHK –ut janë të natyrës ekskluzivisht materiale e që e kompromiton grevën dhe qëllimin e saj për ngritje të cilësisë së arsimit dhe ngritje të standardit jetësorë për të gjithë të punësuarit në sferën e arsimit e jo vetëm për arsimtarët , siç pati kërkuar SBASHK e që pas kërkesës së KMDLNJj –së , SBASHK-u e zgjeroi kërkesën. Greva dhe organizimi sindikal janë njëra ndër vlerat kryesore të demokracisë dhe të drejta të njeriut kur ato janë të arsyeshme dhe kur nuk e dëmtojnë sistemin arsimor po kundër të drejtave të njeriut”, bëhet e ditur në komunikatën për media.

Sipas tyre, greva e organizuar nga SBASHK –u përmbajtësisht e dëmton sistemin arsimor, i cili  sipas tyre, edhe ashtu përballet me shumë probleme për faktin se SBASHK-u po kërcënon se kjo grevë do të zgjasë disa muaj apo deri në përmbushje të kërkesave të tyre të natyrës krejtësisht materiale.

“Kërcënimi se do ta bojkotoni arsimin për muaj të tërë , përveç se është në kundërshtim me moralin , ai duhet të sanksionohet me ligjet në fuqi shkaku se shantazhimin  , duke përdorur nxënës të moshës jomadhore po e përdor për arritjen e  qëllimeve materiale. Këshilli i Prindërve e ka kundërshtuar këtë mënyrë të grevës sepse , në fund të fundit , ata që e pësojnë janë nxënësit apo fëmijët e tyre”, bëhet e ditur në komunikatën e dërguar.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka theksuar se SBASHK-u nuk ka të drejtë të kërkojnë kompensimin e orëve të humbura për nxënësit, që në mungesë të arsimtarëve janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi as gjatë fundjavës e as gjatë pushimeve të parapara qofshin ato dimërore apo verore.

“Për këtë përgjegjësinë duhet ta marrin bashkë , SBASHK-u dhe arsimtarët që po refuzojnë të mbajnë mësim në shkollat anekënd Kosovës ! Ka shumë forma tjera të manifestimit të pakënaqësisë së arsimtarëve dhe administratës me koficientin e pagave por se nuk janë shfrytëzuar dhe SBASHK –u , duke radikalizuar protestën që ndoshta , nëse zgjatë edhe më shumë , pariparueshëm do ta dëmtojë arsimin e ulët dhe të mesëm në ndërkohë që ai i lartë apo universitar ka kohë që është në një “vdekje klinike në fushën e dijes “ apo në koma nga goditjet dhe ndërhyrjet politike dhe vendosjes së marionetave gjysëmalfabetë, në poste ku kërkohet përgjegjësia , besueshmëria dhe kompetenca intelektuale dhe moral”, ka theksuar KLMDNj.

Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, profesorët e Universitetit të Prishtinës dhe universiteteve tjera publike siç i quajnë ata “të formuara gjatë fushatave elektorale nuk kanë asnjë arsye të vetme për grevë , si reagim i skajshëm i pakënaqësisë”, sepse sipas KLMDNj-ës, krahasuar me universitetet publike të rajonit të ardhurat i kanë shumë të larta kurse përgjegjësinë e kanë minimale.

“Përveç se mungojnë në ligjerata dhe se si suflerë i dërgojnë asistentët e tyre , tipari kryesor dallues i shumicës së tyre është flirtimi dhe bashkëjetesa me strukturat politike të pushtetit , pavarësisht se cila apo cilat parti janë në pushtet. “ Nobelistët “ e Universitetit të Prishtinës , jo rrallë herë kanë qenë supermen të vërtetë duke punuar në , deri shtatë ( 7 ) vende pune ! Nepotizmi është mënyrë e të punuarit dhe standard moral dhe profesional në Universitetin e Prishtinës sikur edhe plagjiatura e punimeve “ shkencore “ që është dëshmuar në shumë raste por se kanl mbetur kryesisht të pandëshkuara”është thekësuar në komunikatë.

KMDLNj ka kërkuar nga prindërit që të këmbëngulin që fëmijët e tyre t’i vijojnë mësimet duke i dërguar në shkollë dhe duke qëndruar me ta sikur që kërkonë nga studentët e Universitetit të Prishtinës dhe universiteteve tjera publike të formuara gjatë fushatave elektorale të protestojnë para rektoratit, duke kërkuar përgjegjësi për ata që me aq lehtësi dhe pa asnjë arsye të mirëqenë ua humbën afatin e janarit duke i vënë në pikëpyetje edhe afatet tjera.

KMDLNj ka theksuar se është kundër politizimit të grevës sikur që është edhe kundër ndërhyrjeve politike ndaj atyre që janë duke bërë grevë. Sipas KLMDNj-së, greva e deritashme e ka dëmtuar shumë procesin arsimor në Kosovë, në të gjitha nivelet dhe ajo nuk mund të ndalet me inate dhe  veprime politike, por sipas KLMDNj-ës  duhet të jetë e mbështetur në vullnetin e nxënësve studentëve dhe stafit arsimorë dhe administrativ për të vazhduar shkollimin, si e drejtë por edhe detyrim ligjor.

Gjithashtu KMDLNj ka ftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mos votojnë Ligjin për Paga nëse ai përligj dallimet e mëdha në paga, për punën e njëjtë që e bëjnë. Në këtë kontekst, KMDLNj ka kërkuar të zvogëlohen pagat e politikajve duke marrë parasysh mundësitë buxhetore si dhe praktikat e mira të vendeve të rajonit.

Nga 14 janari të gjitha institucionet arsimore në Kosovë, të të gjitha niveleve janë në grevë. /21Media

Back to top button