USAID mbetet partner i qëndrueshëm i Kosovës

 

Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministri i Drejtësisë, Selimi Selimi, sot ka zhvilluar një takim me përfaqësuesin e lartë të USAID për Evropën dhe Euroazinë, Brock Bierman.

Ministri Selimi vlerësoi lartë kontributin e USAID-it, me theks të veçantë në fushën e drejtësisë dhe në avancimin e infrastrukturës ligjore, ndërsa tha se ky mision mbetet partner i qëndrueshëm i Republikës së Kosovë.

“Shtetet e Bashkuara i kanë qëndruar në krah Kosovës në kohërat më të vështira dhe po na qëndrojnë afër edhe sot, me ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer në të gjitha fushat për zhvillim dhe fuqizim të shtetit. Roli i USAID-it në Kosovë është i rëndësisë së veçantë”, tha Selimi.

Gjatë takimit, Selimi ka folur për prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë, agjendën legjislative, duke veçuar këtu themelimin e Gjykatës Komerciale, e cila sipas tij është një shtyllë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë që lehtëson të bërit biznes dhe nxit investimet e huaja në Republikën e Kosovës.

“Ndër objektivat më të rëndësishme të cilën po e shtyjmë përpara është ligji për Gjykatën Komerciale, krijimi i së cilës do të rrisë efikasitetin e trajtimit të lëndëve komerciale, do të ndihmojë në krijimin e një ambienti më të volitshëm për bizneset vendore, por edhe për tërheqjen e investitorëve të huaj. Gjykata Komerciale është projekt me prioritet për ministrinë time dhe hap shumë i rëndësishëm për ekonominë tonë, andaj falënderoj USAID-in, që ka qenë forcë kyçe prapa saj”, ka deklaruar Selimi.

Ministri Selimi dhe Bierman kanë diskutuar edhe për vazhdimin e thellimit të bashkëpunimit me USAID-in dhe Ministrinë e Drejtësisë, për çka është siguruar nga përfaqësuesi i lartë i kësaj agjencie për mbështetje të mëtejmë në sektorin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Ndër tjerash, në takim është diskutuar edhe për situatën e krijuar nga COVID-19, me ç’rast Selimi i ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e dhënë nga USAID për menaxhimin më efikas dhe për zbutjen e pasojave të pandemisë në Kosovë.

Back to top button