“Ushtarët e Rugovës dhe Adem Jasharit, në rresht me ushtritë e paqes”

Haradinaj ka bërë homazhe te varri i ish-Presidentit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në 13 vjetorin e vdekjes së ish-Presidentit Ibrahim Rugova, ka bërë homazhe te varri i tij. Haradinaj në Facebook ka shkruar se në përvjetorin e 13-të të ndarjes nga jeta të Presidentit Historik, Kosova idealin e tij dhe të shumë brezave e ka kurorëzuar përmes unifikimit, që u manifestua me krijimin e ushtrisë.

“Rugova, me rreshtimin përkrah Perëndimit dhe në miqësi të përhershme me ShBA-në, rideshmoi fuqinë e ideve demokratike shqiptare në shtetkrijim. Në përvjetorin e 13-të të ndarjes nga jeta të Presidentit Historik, Kosova idealin e tij dhe të shumë brezave e ka kurorëzuar përmes unifikimit, që u manifestua me krijimin e ushtrisë sonë. Ushtarët e Ibrahim Rugovës dhe të Adem Jasharit tani janë në rresht me ushtritë e paqes, nën flamurin e Republikës së Kosovës. Pusho i qetë, President!”, ka shkruar Haradinaj.

Dr. Ibrahim Rugova kishte lindur më 2 dhjetor 1944, në Cerrcë të Istogut. Më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë ia kishin pushkatuar të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugovën, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ibrahim Rugova ishte zgjedhur më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë, që kishte sfiduar drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi./21Media

Back to top button