Ushtari i FSK-së për mediumin turk: Jemi shumë të mërzitur

Ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë duke i ndihmuar popullit të Turqisë pas tërmetit të 6 shkurtit.
Televizioni turk TRT ka zhvilluar një bisedë të shkurtë me oficerin e FSK-së, Egzon Syla në jug të Turqisë ku edhe po kryhen aksionet e kërkim-shpëtimit për viktimat e tërmetit.
“Momentalisht po punojmë me ekipin turk AKUT, të cilët na kanë ndihmuar shumë. Ne gjetëm shumë njerëz të enjten dhe po vazhdojmë edhe sot. Jemi shumë të pikëlluar për këtë fatkeqësi dhe po mundohemi dhe shpresojmë të bëjmë më të mirën tonë. Trupat tonë kanë kryer aksione të kërkim-shpëtimit dy herë në situata të njëjta në Shqipëri, dhe ajo përvojë na ka ndihmuar shumë edhe këtu. Me dëshirën e Zotit, ne do ta kryejmë me sukses këtë aksion”, ka thënë Syla në turqisht për TRT-në.
Ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës po vazhdojnë operacionin në Hataty, që po konsiderohet zona më e rëndë nga tërmetet të cilat e goditën Turqinë ditë më parë. Aktualisht janë dy ekipe të kërkim-shpëtimit urban, dy mjekësore emergjente ushtarake, dhe tri njësi të specializuara me qen të trajnuar për detektimin e viktimave dhe të mbijetuarve nën rrënoja. Krahas kësaj, Ministria e Mbrojtjes është shprehur e gatshme të dërgojë ndihmë shtesë nëse një gjë e tillë kërkohet nga shteti turk./21Media

Back to top button