Ushtria izraelite me operacion masiv ushtarak në Bregun Perëndimor
Ushtria izraelite ka nisur një operacion masiv ushtarak në kampin Jenin në Bregun Perëndimor.
Filloi me sulme të shumta me dron. Videot e publikuara në mediat sociale treguan tym që ngritej nga një bllok banimi.
Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se të paktën tre palestinezë u vranë dhe më shumë se 20 të tjerë u plagosën.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se po goditnin “infrastrukturën terroriste në zonën e Jeninit” .
“Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq ndërsa terroristët vazhdojnë të dëmtojnë civilët duke përdorur kampin Jenin si strehë”, thanë ata, duke shtuar se kampi ishte një “fortesë terroriste”.
Batalioni Jenin, një ombrellë ushtarake që përfshin njerëz të armatosur nga grupet palestineze Fatah, Hamasi dhe Xhihadi Islamik, tha: “Ne do të luftojmë forcat pushtuese deri në frymën dhe plumbin e fundit, dhe ne punojmë së bashku dhe të bashkuar nga të gjitha fraksionet dhe formacionet ushtarake”.
Dhjetra palestinezë të armatosur, të maskuar u vendosën në rrugicat e kampit.
Ahmed Zaki, një banor i kampit, tha për BBC se “kolonat e automjeteve të ushtrisë izraelite depërtuan në periferi të kampit nga disa rrugë”.
Shoferi i ambulancës palestineze Khaled Alahmad tha: “Ajo që po ndodh në kampin e refugjatëve është një luftë e vërtetë”.
“Kishte sulme nga qielli që synonin kampin, sa herë që ne ngasim rreth pesë deri në shtatë ambulanca dhe kthehemi plot me njerëz të lënduar”, tha ai.
Muajin e kaluar, ushtria izraelite vrau të paktën gjashtë palestinezë gjatë një bastisjeje në kampin Jenin , hera e parë në vite që ka përdorur helikopterë sulmues në Bregun Perëndimor.
Shtatë ushtarë izraelitë dhe oficerë të policisë kufitare u plagosën në atë sulm./21Media