Wagner pezullon rekrutimin e mercenarëve

Kompania ushtarake private e Yevgeny Prigozhin, Grupi Wagner, ka pezulluar rekrutimet për një muaj pasi ajo zhvendos operacionet në Bjellorusi, tha të dielën një kanal Telegram i lidhur me Prigozhin.

“Për shkak të mospjesëmarrjes së përkohshme të Wagner PMC në një operacion të posaçëm ushtarak dhe zhvendosjes në Republikën e Bjellorusisë, ne po pezullojmë përkohësisht punën e qendrave rajonale të rekrutimit për PMC Wagner për një periudhë 1 mujore”, thuhet në kanalin Telegram e cila drejtohet nga një nga punonjësit e Wagner.

Ishte presidenti bjellorus, Aleksandr Lukashenko ai që thuhet se ndërmjetësoi një marrëveshje që Prigozhin dhe forcat e tij të largoheshin nga Rusia pas rebelimit mahnitës dhe jetëshkurtër të Wagner kundër Kremlinit javën e kaluar.

Deri në atë moment, Wagner kishte luajtur një rol kyç në luftën e Rusisë në Ukrainë, veçanërisht në qytetin lindor të Bakhmutit. Me kryengritjen dhe ndërprerjen e dukshme nga Prigozhin të një aleance të gjatë me presidentin rus Vladimir Putin, vërtiten pyetjet rreth të ardhmes për shefin e mercenarëve dhe zyrtarë të tjerë rusë me lidhje me grupin e tij.

Të premten, Lukashenko ftoi mercenarët Wagner për të trajnuar ushtrinë e tij gjatë një fjalimi kushtuar Ditës së Pavarësisë së Bjellorusisë.

Në fjalimet e mëparshme, Lukashenko tha se Wagnerit i ishte ofruar një tokë e braktisur brenda Bjellorusisë sipas nevojës./21Media

Back to top button