Ushtroi dhunë ndaj së fejuarës, arrestohet një zyrtar policor në Gjilan

Disa ditë më parë hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë pranuar një ankesë nga një qytetare nga Gjilani, e cila pretendonte se një zyrtar policor, i cili ishte i fejuari i saj, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj.
Pas pranimit të këtyre informacioneve, bazuar në veprimet hetimore paraprake të realizuara dhe nga dëshmitë e mbledhura nga hetuesit e IPK-së, është siguruar një bazë e dyshimit të arsyeshëm, se zyrtari policor ka përdorur dhunë dhe kërcënime ndaj ankueses.
Bazuar në këto rrethana, me dyshimin se zyrtari policor ka kryer veprën penale dhunë në familje, i njëjti është arrestuar dhe me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit 48 orë.
Në kuadër të veprimeve të natyrës administrative dhe në interes të hetimit, IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e tij.
Veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente