Vaksina e Pfizer dhe BioNTech efikase kundër variantit brazilian

 

 

Vaksina antiCOVID nga Pfizer dhe BioNTech është në gjendje të neutralizojë një variant të ri të koronavirusit që po përhapet shpejt në Brazil.

Efikasiteti i vaksinës Pfizer/BioNTech konfirmohet nga një studim laboratorik i publikuar në revistën e mjekësisë së New England.

Gjaku i marrë nga njerëz që ishin vaksinuar me të ka mundur të neutralizojë një version të projektuar të virusit që mbante të njëjtat mutacione të proteinës spike si ato të variantit të identifikuar në Brazil, thotë studimi i kryer nga shkencëtarë të universitetit të Teksasit, përcjell rtv21.tv

Ata thanë se aftësia neutralizuese ishte ekuivalente me efektin e vaksinës në një version të mëhershëm, më pak infektues, të virusit nga viti i shkuar. Proteina spike, që përdoret nga virusi për të hyrë në qelizat njerëzore, është shënjestra kryesore e shumë vaksinave anti covid. Në studime të kryera më herët, Pfizer kishte zbuluar se vaksina e tij neutralizonte edhe variante të tjera më infektuese të virusit të identifikuara në Britaninë e Madhe dhe Afrikën e Jugut edhe pse ky i fundit mund të reduktojë numrin e antitrupave mbrojtës që gjenerohen nga vaksina.

Pfizer ka thënë se beson se vaksina aktuale e tij ka shumë gjasa të vazhdojë të mbrojë kundër variantit afrikano jugor. Sidoqoftë, prodhuesi i ilaçeve po planifikon të testojë një dozë të tretë përforcuese të vaksinës, si edhe një version të ri të saj, që kanë si qëllim të luftojnë variantin në mënyrë që të kuptohet më mirë reagimi imunitar.

Edhe vaksina kineze Sinovac, sipas një studimi të ndarë, është efikase ndaj variantit brazilian, por shkencëtarët ende nuk kanë dhënë detaje të këtij studimi.

Deri më tani në nivel botëror janë infektuar mbi 117 milionë persona nga COVID-19. Numri i përgjithshëm i të vdekurve është 2 milionë e 600 mijë, teksa të shëruar shënohen 93 milionë e gjysmë. Raste aktive janë edhe 21 milionë./21Media

Back to top button