OBSH: Miratohet vaksina kineze Sinovac!

Vaksina kineze Sinovac tashmë po përdoret në disa vende të botës, përfshirë edhe Filipinet

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka aprovuar vaksinën Kineze Sinovac-Covid për përdorim emergjent.

Kjo është vaksina e dytë kineze që merr dritën jeshile nga OBSH, pas asaj Sinopharm.

Ky aprovim i hap derën vaksinës së dytë kineze që të përdoret në programin COVAX, i cili synon të sigurojë qasje të drejtë te vaksinat në tërë botën.

Vaksina, e cila është përdorur tashmë në disa vende, është rekomanduar për njerëzit më të moshuar se 18 vjeç, me një dozë të dytë dy ose katër javë më vonë.

Miratimi i urgjencës do të thotë që vaksina “plotëson standardet ndërkombëtare për sigurinë, efikasitetin dhe prodhimin”, tha OBSH.

Studimet treguan se Sinovac parandaloi sëmundjen simptomatike në më shumë se gjysmën e atyre të vaksinuar dhe parandaloi simptomat e rënda dhe shtrimin në spital në 100% të atyre të studiuar, thuhet në arsyetimin e ekipit profesional të OBSH-së.

Shpresohet që vendimi për t’i renditur vaksinat kineze për përdorim urgjent do t’i japë një shtysë iniciativës COVAX, e cila ka qenë duke luftuar me problemet e furnizimit.

“Bota ka shumë nevojë për vaksina të shumta Covid-19 për të zbutur pabarazinë e madhe të aksesit në vaksina në të gjithë globin,” tha Mariangela Simao, ndihmës drejtore e përgjithshme e OBSH-së për aksesin në produktet shëndetësore.

Pos në Kinë, vaksina Sinovac tashmë po administrohet në disa vende duke përfshirë Kilin, Brazilin, Indonezinë, Meksikën, Tajlandën dhe Turqinë.

Sinovac thotë se ka furnizuar më shumë se 600 milionë doza në vend dhe jashtë që nga fundi i majit, kurse deri tani janë administruar më shumë se 430 milionë doza.

Një nga përparësitë kryesore të Sinovac është se mund të ruhet në një frigorifer standard në 2-8 gradë Celsius. Kjo do të thotë që Sinovac është shumë më i dobishëm për vendet në zhvillim të cilat mund të mos jenë në gjendje të ruajnë sasi të mëdha të vaksinave në temperatura të ulëta, raporton BBC në një artikull më të zgjeruar./E.D-21Media

Back to top button