Vaksinat e para kundër Covid-19 në Kosovë do të vijnë në qershor 2021

 

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës sot ka pranuar një donacion të oksigjeno-koncentratorëve nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për zvogëlimin e nevojës së prezencës së bombolave të oksigjenit nëpër dhomat e pacientëve.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se puna që po bëhet këto ditë për koordinim më të mirë me donatorë po shpërblehet me ardhjen e donacioneve nga gjithë bota. Ai tha se donacionet po ndihmojnë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe luftën kundër pandemisë me koronavirus.

Ndërsa përfaqësuesit e OBSH-së, thanë se është lajm i mirë sot shpërndarja e këtij donacioni, ndërsa kanë bërë thirrje që të respektohen masat në parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Sergy Koryak nga kjo organizatë, tha se është shumë e rëndësishme të respektohen udhëzimet dhe kufizimet e Ministrisë së Shëndetësisë, pasi kjo pandemi është shumë serioze dhe shkalla e vdekshmërisë është mjaft e lartë. Ai ndërkaq ka bërë të ditur se edhe kur do të vijnë vaksinat e para në Kosovë.

Përveç masave parandaluese nuk ka asnjë trajtim, akoma nuk ka vaksinë, prandaj duhet të mbështetemi vetëm në masat parandaluese, unë që urrej ta përsëris veten, por ne duhet t’i bartim maskat, të respektojmë higjienën, distancën, ky është mjeti i vetëm që kemi në këtë moment, dhe duhet të veprojmë së bashku për të fituar këtë betejë kundër virusit. Fatkeqësisht, situata është e vështirë dhe nuk është e përkohshme, për fat të keq kjo situatë do të zgjasë për një periudhë mjaft të gjatë kohore. Prognoza më optimiste është që vaksinat e para do të vijnë në Kosovë në qershor të vitit të ardhshëm, kështu që deri atëherë ne duhet të mbrohemi”, tha Koryak.

Ulrika Richardson zyrtare nga UN-ja, theksoi se është një kontribut i madh nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, për sa i përket oksigjeno-koncentratorëve të cilët janë shumë të nevojshëm, pasi do të shërbejnë për forcuar kapacitetet e spitaleve në të gjithë Kosovën sa i përket trajtimit të pacientëve me COVID-19.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit në SHKSUK, Valbon Krasniqi, ka treguar për mënyrën e funksionimit të këtyre koncetratorëve, të cilët punojnë me rrymë dhe kanë kapacitet prej 5-10 litra oksigjen në minutë.

Ai po ashtu tha se nga dje SSHKUK ka filluar shpërndarjen tyre, nga 30 koncentratorë në pesë spitalet e përgjithshme, në Gjilan, Ferizaj, Prizren, Gjakovë dhe Pejë, ndërsa 20 në spitalin e Vushtrrisë dhe 10 në Mitrovicë. Ndërkaq 30 janë duke u mbajtur për t’u shpërndarë aty ku paraqitet nevoja.

Back to top button