Van Dijk lëshon “bombën”: Do të largohen lojtarë, na duhet kualitet

Sezoni aktual për Liverpoolin ka qenë një dështim, ku tani skuadra e Jurgen Klopp do të luftojë vetëm për Top 4 në Premier Ligë, në mënyrë që të siguroj garat evropiane sezonin e ardhshëm.

Liverpooli është eliminuar nga Carabao Cup, FA Cup dhe së fundmi nga Liga e Kampionëve, pasi u mposht nga Real Madridi në raundit e 16-të të garës me rezultat të përgjithshëm 6:2.

Lëndimet e shumta, mos-transferimi i lojtarëve dhe mungesa e kualitetit në skuadër kanë çuar Liverpoolin në këtë pikë, dhe tanimë nuk është sekret se gjiganti anglez do të bëjë ndryshime të mëdha gjatë verës.

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp e ka konfirmuar se do të ketë largime të lojtarëve dhe transferime gjatë verës, dhe këtë gjë tani e ka konfirmuar edhe kolosali i “Të Kuqve”, Virgil Van Dijk.

“Ne duhet të transferojmë lojtarë të rinj, nëse dëshirojmë që të jemi aty ku kemi qenë në pesë vitet e fundit”, tha Van Dijk për “The Athletic”.

“Sigurisht, do të largohen lojtarë. Nëse dëshirojmë që të jemi në nivelin më të lartë na duhet të sjellim kualitet”, shtoi më tej Van Dijk.

Të paktën gjashtë lojtarë pritet që të largohen nga Liverpooli këtë verë, ndërsa besohet se do të ketë përforcime në të repartin e mbrojtjes, mesfushës dhe sulmit.

Back to top button