Varhelyi: Serbia s’mundet të shkojë përpara në BE pa marrëveshje me Kosovën
Várhelyi tha se Prishtina zyrtare duhet të heqë taksën
Komisionari i Zgjerimit të BE, Olivér Várhelyi, konfirmoi sot se pavarësisht asaj se çfarë ka bërë deri më tash në integrimet evropiane, Serbia nuk mund të shkojë përpara në BE pa një marrëveshje me Kosovën.
“Unë mendoj se ju vetë i jeni përgjigjur pyetjes tuaj. Për të gjithë rajonin, marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës janë një çështje kryesore. Të gjithë po i shikojmë të dyja vendet, në mënyrë që ato të mund të vijnë në një zgjidhje paqësore afatgjatë, por kjo nuk mund të ndodhë vetë”, tha Olivér Várhelyi.
Ai kështu iu përgjigj pyetjes së mediave në Beograd, pas takimit me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Olivér Várhelyi tha se Prishtina zyrtare duhet të heqë taksën, e cila, thotë ai, është hapi i parë për të rinisur bisedimet.
Ai tha se ishte i gatshëm të ndihmojë sa më shumë që të jetë e mundur, por se është i vetëdijshëm se bëhet fjalë për një çështje shumë të ndjeshme, andaj është shumë i kujdesshëm për këtë.
“Të dy vendet duhet të ulen së bashku dhe hapi i parë që duhet të ndërmarrë Kosova është heqja e taksës”, tha ai, duke shtuar se pa këtë nuk mund të jetë e mundur apo edhe e pamundur të rinovohen bisedimet./KP