Varianti britanik i COVID-19 po përhapet me shpejtësi

 

Varianti më infektiv i COVID-19, i zbuluar për herë të parë në Britaninë e Madhe, po përhapet me shpejtësi në Gjermani, paralajmëroi sot ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn.

“Varianti, i njohur me emrin shkencor B117, tani përbën mbi 22 % të infektimeve në vend, në krahasim me pothuajse 6 % më pak se dy javë më parë”, tha Spahn, duke cituar të dhënat e agjencisë gjermane për kontrollin e sëmundjeve, Instituti “Robert Koch” (RKI).

“Ne duhet të supozojmë se varianti shpejt mund të bëhet dominues edhe këtu”, shtoi ai.

Sipas ministrit, 1,5 % e rasteve janë shkaktuar nga mutacioni i Afrikës së Jugut.

Varianti i koronavirusit që u zbulua në Britani të Madhe po përhapet me shpejtësi edhe në disa pjesë të Italisë.

Autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar se 18 për qind e të gjitha rasteve të reja në Itali janë me variantin e ri të koronavirusit.

Sipas vlerësimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, varianti i ri i koronavirusit po përhapet me aq shpejtësi sa në javën e ardhshme do të jetë dominues në Itali./21Media

Back to top button