Varianti i ri i Covid-19 tani edhe në Evropë e Azi

Varianti i ri i koronavirusit që u shfaq për here të parë në Afrikën jugore, tani është raportuar edhe në Evropë e Azi. Nga një rast është raportuar në Belgjikë dhe Izrael.
Varianti më i ri i koronavirusit është varianti me më së shumti mutacione që është zbuluar deri më tani dhe ka një listë aq të gjatë të mutacioneve, saqë një shkencëtar e quajti “tmerrues”, ndërsa një tjetër tha se ky është varianti më i keq që ka parë.
Rasti i parë i një varianti të ri të koronavirusit është identifikuar në Belgjikë te një grua e re dhe e pavaksinuar, e cila filloi të kishte simptoma të ngjashme me ato të gripit 11 ditë pasi kishte udhëtuar për në Egjipt përmes Turqisë. Pacientja nuk ka raportuar ndonjë lidhje me Afrikën Jugore ose me shtetet tjera në jug të Afrikës. Asnjëri nga anëtarët e familjes së saj nuk ka shfaqur simptoma
Qeveria belge sot vendosi masa të reja kufizuese, përfshirë mbylljen e hershme të bareve e mbylljen e plotë të klubeve të natës për tri javë me qëllim të pakësimit të kontakteve sociale dhe pengimit të përhapjes së mëtejme të valës së katërt të infeksioneve.
Izraeli ka identifikuar një rast të infektimit me variantin e koronavirusit të identifikuar fillimisht në Afrikën e Jugut, ka thënë Ministria e Shëndetësisë në këtë shtet.
“Varianti i zbuluar në shtetet e Afrikës së Jugut, është identifikuar edhe në Izrael”, ka thënë Ministria, duke shtuar se rasti është regjistruar “te një person që është kthyer nga Malavi”.
Dy raste tjera janë identifikuar në “njerëz që kanë ardhur nga jashtë”, ka thënë po ashtu Ministria, duke shtuar se të gjithë i janë nënshtruar masës së karantinës.
Të tre personat janë të vaksinuar, pa specifikuar numrin e dozave apo llojin e vaksinës.
Lajmi për përhapje të këtij virusi në Izrael vjen një ditë pasi shkencëtarët në Afrikën e Jugut kanë thënë se kanë identifikuar variantin e ri B.1.1.529 me të paktën 10 mutacione, në krahasim me dy sa ka Delta.
Autoritetet në Afrikën e Jugut ka thënë se ky variant përbën “shqetësim serioz” dhe kanë thënë se ai qëndron mbrapa rritjes së shkallës së infektimit. Izraeli ka qenë një prej shteteve të para që ka nisur fushatën e vaksinimit vitin e kaluar. Më shumë se 5.7 milionë banorë në shtetin me 9 milionë banorë janë të vaksinuar plotësisht./21Media

Back to top button