Trupi i 45-të i gjetur në autobusin e djegur, është i një fëmije

Gjatë ekspertizës së sotme të autobusit me shtetasit e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që pati fatkeqësi në autostradën “Struma” të martën, është gjetur edhe një trup i një fëmije, informoi zëvendës prokurori kryesor dhe shef i Shërbimit hetues kombëtar të Bullgarisë, Borisllav Sarafov.
Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Sofja, me këtë numri i viktimave në fatkeqësinë e komunikacionit në autobusin e “Besa Trans” është rritur në 45.
Paraprakisht, zëdhënësi i prokurorit kryesor të Bullgarisë, Sijka Mileva, korrespondentit të MIA-s nga Sofja i konfirmoi se gjatë ekspertizës shtesë që sot e kanë kryer hetuesit nga Shërbimi hetues kombëtar bullgar në autobusin e djegur, është gjetur edhe një trup.
Sarafov sot në delaratë për BNR konfirmoi se të hënën në mbrëmje në ora 21:15 sipas kohës bullgare, përmes vendkalimit kufitar “Kapitan Andreevo” nga Turqia në Bullgari me autobusin e “Besa Trans”-it kanë hyrë 52 persona.
Sipas Sarafov, prej tyre 45 viktima janë gjetur në autobusin e djegur, ndërsa shtatë të lënduar janë dërguar në spitalin ”Pirogov” në Sofje.
Ai informoi se edhe hetuesit bullgarë dhe prokurori, të cilët kanë udhëtuar në vend, do të mbeten në Shkup më së voni deri të dielën.
“Duhet ta sjellin dokumentacionin lidhur me autobusin dhe ADN profilet e farefisit të viktimave. Menjëherë pastaj do të fillojë identifikimi i viktimave nga fatkeqësia”, shtoi Sarafov.
Ekipi i prokurorëve dhe hetuesve nga Shërbimi hetues kombëtar bullgar, sipas paralajmërimeve, deri te autoritetet në vend zyrtarisht duhet të parashtrojnë kërkesë për ndihmë juridike. Atyre do t’u dorëzohen ADN materialet e mbledhura nga farefisi i viktimave në fatkeqësinë e autobusit dhe pas kthimit të tyre në Bullgari, do të fillojë zbatimi dhe identifikimi me trupat e gjetur të viktimave, shtatas të RMV-së në autobus. Pas përfundimit të kësaj procedure, do të vijojë sjellja e trupave në vend dhe dorëzimi tek familjet e tyre./TV21

Back to top button