Varroset me nderime të larta polici që u vra mbrëmë tragjikisht në Prizren

Varrimi i të ndjerit u bë sot në ora 15:00

Është varrosur me nderime të larta sot Sami Thaqi, pjesëtari i policisë së Kosovës që u vra mbrëmë në detyrë. Thaqi vdiq mbrëmë nga një shpërthim eksplozivi gjatë një operacioni policor antidrogë në Zhur të Prizrenit. Varrimi i të ndjerit u bë sot në ora 15:00, transmeton rtv21.tv

Në ceremoninë e varrimit në varrezat e fshatit Shkarashnik të Malishevës, morën pjesë qytetarë të shumtë dhe një numër i madh i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe figura nga skena politike në vend.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani tregoi se i ndjeri Sami Thaqi kishte shërbyer fillimisht si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e më pas në vitin 2005 i ishte bashkuar Policisë së Kosovës si kadet i gjeneratës së 30-të. “Duke qenë çdoherë shembull për të gjithë kolegët, i gatshëm për ti shërbyer qytetarëve dhe vendit më 28 janar ra heroikisht në krye të detyrës. Kolegu Thaqi ka lënë bashkëshorten dhe tre fëmijë, të cilët duhet të ndihen krenar për një baba dhe bashkëshort si Sami Thaqi. Ai do të jetë përherë në mendjet dhe zemrat tona”, u shpreh Kelani.

Qeveria e Kosovës ndau sot 15 mijë euro për familjen e policit të ndjerë./21Media

Back to top button