Hovenier mbledh pjesëmarrësit që diskutuan për Asociacionin

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë për RTV21 ka deklaruar se vazhdojnë diskutimet për Asociacionin.
Në përgjigjen e Ambasadës thuhet se pas takimit të 31 janarit, Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier do të mbajë një mbledhje jozyrtare në rezidencën e tij për të lehtësuar bisedën e mëtejshme.
“Pas diskutimit produktiv më 31 janar me një gamë të gjerë palësh të interesuara në Ambasadën e SHBA-së, Ambasadori do të mbledhë një mbledhje jozyrtare në rezidencën e tij për të lehtësuar bisedën e mëtejshme. Nuk ka asnjë program zyrtar apo temë diskutimi”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së.
RTV21 mëson se mbledhja jozyrtare do mbahet sot me fillim nga ora 18:30.
Me ftesë të Ambasadës amerikane në Prishtinë më 31 janar është mbajtur takimi në të cilin është diskutuar çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pjesë e takimit ishin zyrtarë qeveritarë, liderë të partive politike dhe diplomatë.
Pas përfundimit të takimit rreth Asociacionit në Ambasadën Amerikane, Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se SHBA-ja do të vazhdojë të avokojë për zbatimin e të gjitha zotimeve të dialogut.
“Sot mbajtëm një diskutim në ambasadën amerikane në Prishtinë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Mirënjohës ndaj palëve të ndryshme të interesuara të pranishëm për ndarjen e pikëpamjeve dhe ekspertizës së tyre. Ne vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha zotimeve të Dialogut”, ka thënë Hovenier./21Media

Back to top button