Vazhdojnë protestat për dasmat!

 

Pronarë restorantesh, muzikantë, fotografë, kameraman e punonjës të tjerë, veprimtaria e të cilëve ndërlidhet me dasmat, serish protestuan duke bllokuar bulevardin “Aleksandri i Maqedonisë” në Autokomandë të Shkupit. Ata nuk dorëzohen nga kërkesat e tyre, që shteti urgjentisht të sjell protokoll për realizimin e dasmave, kremtimeve tjera dhe punën e klubeve të natës. Protestuesit thanë se nuk janë të kënaqur as me ndihmën e deritanishme financiare nga ana e shtetit, duke kërkuar një pako shtesë ekonomike.

“Kryeministri Zaev duke e prezantuar pakon e pestë me masa, prezantoi ndihmë prej 1 miliard eurosh kompanive të cilat kanë 50% ulje të fitimit në krahasim me vitin e kaluar, sepse siç tha, po e parafrazoj “shteti drejtpërdrejt nëpërmjet masave e ka kufizuar punën e tyre”. Po te ne situate a mos është më ndryshe? Ne nuk kemi kufizim të veprimtarisë, ne kemi ndalesë për ta ushtruar punën primare për të cilën i kemi krijuar objektet, e nëse punojmë duhet të përgjigjemi penalisht. Ne kërkojmë vetëm të punojmë me protkollet aktuale, siç punojnë të gjitha 56 objekte hotelierike, të cilat janë të regjistruara në regjistrin qendror”, theksoi Marija Sinadinovska-Arsovska – gastronome.

Gastronomët u ankuan duke thënë se shteti u ka ndihmuar vetëm për 6 muaj për pagat e të punësuarve dhe se shpenzimet tjera po i mbulojnë vetë, që kur janë mbyllur objektet hotelierike, nga qershori i vitit të kaluar.

“Ne kërkojmë të punojmë me protokollet më rigoroze, për këtë arsye Qeveria duhet menjëherë të ndryshojë nenit 14 nga dekreti i dalë në Gazetën zyrtare me datë 23.06.2020, me të cilin ndalohet organizimi i çfarëdo lloj manifestimi, dasma, mevlude, fejesa, ditëlindje etj. në pjesë të hapura dhe të mbyllura të objektit”, shtoi Lulzim Hasani – gastronom.

Edhe përskaj protestave nga hotelierët, Ministria e Shëndetësisë nuk do t’i ndryshojë masat për mbrojtje nga Covid-19 për restorantet e dasmave.

Në një përgjigje për TV21, kanë deklaruar se protokollet ndryshohen në bazë të mendimeve të profesionistëve, atëherë kur do të vlerësojnë se është momenti adekuat.

“Të gjitha propozimet për ndryshim të protokolleve realizohen në bazë të mendimeve profesionale dhe gjatë periudhës që sipas tyre është i përshtatshëm, kjo me qëllim që të mbrohet shëndeti kolektiv i qytetarëve. Për momentin nuk ka ndryshim të protokolleve sa i takon objekteve hotelerike. Në rast të rekomandimeve të ardhshme apo ndryshim të protokolleve, publiku do të njoftohet me kohë”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut.

As Qeveria nuk po planifikon t’i pranojë protestuesit për bisedime. Prej këtu thonë se vendimi i tyre kundrejt gastronomëve dhe palëve tjera të prekura varet nga rekomandimet që sjell Komisioni për sëmundje infektive. Ndërkaq gastronomët e muzikantët nuk heqin dorë, thonë se do të vazhdojnë të protestojnë edhe përpara Qeverisë derisa nuk i lejojnë që të paktën edhe me kufizime dhe distancë të organizojnë dasma./21Media

Back to top button