Vazhdon greva në Aeroport

Greva do të jetë 8-orëshe

Kontrollorët e trafikut Ajror po vazhdojnë grevën pavarësisht thirrjeve për ndërprerjen ose pezullimin e tyre. Nga SINKON dhe ASHNA është njoftuar se greva sot do të jetë 8-orëshe, duke filluar nga ora 08:00 e mëngjesit të sotëm deri në orën 16:00.

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë thirrje që të pezullohet greva e Kontrollorëve Ajror, duke kërkuar që të realizohet të paktën minimumi i punës në mënyrë që të mos rrezikohet aviacioni, jeta apo shëndeti i njerëzve.

Edhe Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës u ka bërë thirrje Kontrollorëve të Trafikut Ajror që të ndërprejnë  grevën duke pasur parasysh pasojat e mëdha për publikun që udhëton dhe humbjet tjera direkte e indirekte që mund të shkaktohen.

Ndërkohë dje, kryetari i sindikatës së kontrollorëve ajror, Artan Hasani në një lidhje direkte në emisionin “Prite të gjelbrën” për RTV21, tha se kjo grevë do të vazhdojë edhe sot dhe nesër, duke i shtuar orët e grevës.

Ndërsa, të dielën më 17 shkurt do të pezullohet greva për nder të 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, por Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” një ditë pas këtij përvjetori do të futet në grevë 24-orëshe.

Back to top button