Vazhdon largimi i masave anti-covid

Italia ka hequr përdorimin e maskave nga ambientet e hapura, por është e detyrueshme që personat t’i kenë me vete dhe t’i përdorin në rast grumbullimesh, ndërsa përdorimi në ambiente të mbyllura mbetet në fuqi.
“Deri më 31 mars 2022 është i detyrueshëm në të gjithë vendin përdorimi i mjeteve mbrojtëse të frymëmarrjes në ambiente të brendshme, përveç shtëpive private, dhe në ambiente të jashtme është i detyrueshëm në të gjithë territorin”, thuhet në dekretin e firmosur nga ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza.
Urdhëresa saktëson se nuk janë të detyruar të përdorin pajisjen mbrojtëse të frymëmarrjes fëmijët nën moshën gjashtë vjeç, personat me patologji ose aftësi të kufizuara të papajtueshme me përdorimin e maskës si dhe personat që duhet të komunikojnë me një person me aftësi të kufizuara.
Në çdo rast, protokollet dhe udhëzimet të parashikuara për veprimtaritë ekonomike, prodhuese, administrative dhe sociale, si dhe udhëzimet për konsumimin e ushqimeve dhe pijeve në vende publike ose të hapura për publikun, janë të rezervuara. Urdhëresa hyn në fuqi nga 11 shkurti 2022 dhe deri më 31 mars 2022.
Mbretëria e Bashkuar mund të jetë vendi i parë evropian që eliminon detyrimin e karantinës për ata që janë pozitivë me Covid-19. Kështu bëri të ditur kryeministri Boris Johnson duke folur në Parlamentin Britanik. Ndalimi i izolimit ishte planifikuar aktualisht për në 24 mars, por lamtumira ndaj masës mund të vijë në fund të shkurtit.
Më 21 shkurt, Johnson do të shpallë strategjinë e qeverisë për pandeminë. “Me kusht që tendencat inkurajuese e të dhënave të vazhdojnë. Mendoj se do të jemi në gjendje t’i japim fund kufizimeve përfshirë dhe detyrimin ligjor për t’u izoluar kur je pozitiv, besoj se mund ta marrim këtë masë një muaj më herët” se sa ishte parashikuar.
Propozimi i tij për t’i dhënë fund pandemisë më herët do të duhet të votëbesohet në parlament. Në Mbretërinë e Bashkuar, infeksionet vazhdojnë të jenë të larta, por nga ana tjetër shtrimet në spital vazhdojnë të ulen dhe vdekjet e përgjithshme janë në mesataren e atyre të regjistruara në të kaluarën në periudhën e dimrit.
Përfundimi i detyrimit të izolimit do të eleminojë edhe testet, të cilat mund të kërkohen vetëm në shtëpitë e pleqve dhe spitale. Franca në anën tjetër po mendon të heqë certifikatën e vaksinimit. Zëdhënësi i
qeverisë Gabriel Attal tha në fund të mbledhjes së këshillit të ministrave se qeveria beson se ka “arsye të shëndosha për të shpresuar se në fund të marsit dhe fillim të prillit mund të hiqet detyrimi për të pasur një certifikatë vaksinimi” për të hyrë në aktivitete të ndryshme.
Ky optimizëm është i diktuar nga përmirësimi i situatës shëndetësore në Francë.
Ndërkohë presidenti i Këshillit Orientues për Strategjinë e Vaksinimit, Alain Fischer, tha në senat se një revokim i lejes së vaksinimit është i imagjinueshëm “deri në fund të marsit”, në fillim të prillit por gjithmonë nëse do të përmbushen një sërë kushtesh./21Media

Back to top button