Vdekjet e migrantëve në Teksas, akuzohet ngasësi i dyshuar i kamionit

Shoferi i dyshuar i një kamioni të gjetur i braktisur në Teksas me dhjetëra trupa të vdekur brenda, është akuzuar për kontrabandim migrantësh, që ka çuar në vdekje.
Homero Zamorano u gjet duke u paraqitur si emigrant në një shkurre pranë kamionit në San Antonio dhe u arrestua nga policia.
Rreth 53 njerëz vdiqën në këtë tragjedi, disa nga të nxehtit dhe dehidrimi, pasi kanë qenë të mbyllur brenda kamionit në temperaturë të lartë dhe pa ujë.
Ky është incidenti më vdekjeprurës i trafikimit të qenieve njerëzore në historinë e SHBA.
Sipas një zyrtari meksikan për migrimin, ngasësi i dyshuar, Zamorano – i cili është nga Teksasi – “ka tentuar të prezantojë veten si një nga të mbijetuarit”, kur është gjetur nga policia.
I dyshuari i dytë, Christian Martinez, u arrestua nën akuzat për komplot. Prokurorët federalë kanë thënë se hetuesit e kanë gjetur emrin e tij kur kanë bërë kërkime në telefonin e Zamoranos, dhe zbuluan se dyshja kishin komunikuar.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë njoftoi se të dy burrat mund të përballen me një dënim maksimal me burgim të përjetshëm, apo me dënim me vdekje, nëse shpallen fajtorë, shkruan BBC.
Dy të dyshuar të tjerë të lidhur me adresën ku ishte regjistruar kamioni janë arrestuar gjithashtu për kundërvajtje me armë zjarri.
Pjesëtarë të emergjencës kanë arritur në mbrëmjen e së hënës afër San Antonios, ku kanë gjetur 46 trupa të vdekur brenda kamionit të braktisur, i cili kishte dyert e hapura.
Numri i të vdekurve u rrit më pas në 53, pasi një numër i të shtruarve vdiqën në spital.
Një memorial është shfaqur në vendin e tragjedisë, rreth 250 km (160 milje) në veri të kufirit SHBA-Meksikë./21Media

Back to top button