Vdes një 21-vjeçare në Qendrën Korrektuese në Lipjan

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar për vdekjen e një 21-vjeçare në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan. Rasti ka ndodhur sot rreth orës 12:42.
“Me të kuptuar për rastin, i menjëhershëm ka qenë intervenimi i stafit korrektues dhe atij mjekësor të Qendrës, por përkundër përpjekjeve për reanimim nuk kanë arritur të kthejnë në jetë. E dënuara, në QKF Lipjan është pranuar me datën 27.04.2021, që nga fillimi deri 18.06.2021 ka qenë në vëzhgim çdo 15 minuta nga psikologu i Qendrës. Po ashtu, nga data 02.11.2021 ka qenë në vëzhgim (observim) çdo 30 minuta, i cili vëzhgim ka vazhduar”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe prokurori, ndërsa SHKK-ja ka filluar të bëjë hetimet procedurale dhe administrative, gjithashtu është themeluar Komisioni Hetimor Administrativ nga SHKK, i cili do të dal me Raport Administrativ Përfundimtar.
“Stafi mjekësor i Stacionarit të Qendrës Korrektuese për Femra në Lipjan ka përgatitur dokumentacionin e nevojshëm lidhur me rastin. Autopsia do të verifikojë shkakun e vdekjes”, thuhet tutje në njoftim./21Media

Back to top button