Kurti pranon letër falënderimi nga Imzot Arjan Dodaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pranoi një letër falënderimi nga Imzot Arjan Dodaj, përmes së cilës ky i fundit është shprehur i privilegjuar për urimet siç i quan të përzemërta e të thella, marrë nga Kurti me rastin e emërimit të tij Arqipeshkëv i Arqidioqezës së Tiranë – Durrësit.
Teksa shkruan për lidhjet mes shqiptarëve, Dodaj thotë se kjo lidhje na bën që të ndihemi gjithmonë e më shumë afër njëri – tjetrit, si vëllai vëllait dhe se gëzimi i njërit është gëzim i të gjithëve.
“Është e bukur fjala që ju shprehni për sa i përket shërbimit që Kisha Katolike ndër shqiptarë, nëpërmjet bijve të popullit të vet, gjithmonë e më shumë të shërbejë më rritjen e atij uniteti, prosperiteti e paqeje që e ka zanafillën e vet në zemrën e Zotit”, shkruan Dodaj në letrën e tij për Kurtin.
Ndër tjera, ai thotë se duke shpresuar që në të ardhmen të mund të bashkëpunojmë për çfarë na bashkon, shprehu lutjen e tij për kryeministrin, familjen e tij dhe gjithë popullin./21Media

Back to top button