Vdiq gruaja pasi iu vu flaka në një park
Një grua e cila u lag me alkool dhe u dogj në një park në Meksikën qendrore ka vdekur nga plagët e marra.
Luz Raquel Padilla, 35 vjeç, kishte pësuar djegie në 90% të trupit të saj në sulmin në Zapopan të shtunën.
Vrasja e saj ka nxitur reagime në Meksikë për brutalitetin dhe faktin se ajo kishte njoftuar autoritetet muaj më parë para se të ndodhte sulmi.
Meksika ka parë rritje të numrit të vrasjeve të grave në vitet e fundit, duke regjistruar 1004 vrasje më 2021, transmeton rtv21.tv.
Prokurori Luis Joaquin Mendez tha se dëshmitarët kishin përshkruar tre burra dhe një grua që kishin nisur sulmin kundër zonjës Padilla në një park në Zapopan. Të katërt janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Padilla, djali 11-vjeçar i së cilës ka autizëm, ishte anëtare e një grupi njerëzish që kujdeseshin për të afërmit me aftësi të kufizuara të quajtur “Yo cuido Mexico” (Unë kujdesem për Meksikën).
Grupi tha se zonja Padilla kishte marrë kërcënime të shumta nga një fqinj që kishte kundërshtuar zhurmën që bëri djali i saj.
Në maj, ajo kishte postuar foto në Twitter me mbishkrime të spërkatura në muret e shkallëve të ndërtesës së saj, ku shkruhej “Do të të djeg të gjallë”./21Media