Vdiq gruaja që u plagos në protesta

 

Një grua është bërë protestuesja e parë që vdiq në demonstratat anti-grusht shteti në Mianmar pasi u qëllua në kokë javën e kaluar.

Mya Thwe Thwe Khaing u plagos dy ditë para ditëlindjes së saj të 20-të kur policia u përpoq të shpërndajë protestuesit.

Një imazh i protestueses pasi u qëllua u shpërnda dhe vdekja e saj ka shkaktuar zemërim të mëtejshëm kundër autoriteteve, transmeton rtv21.tv.

Policia ka mohuar përdorimin e forcës vdekjeprurëse në tubimin në kryeqytetin Nay Pyi Taw më 9 shkurt.

Autoritetet thanë se do të hetojnë rastin.

Mianmari, që ndryshe njihet edhe si Birmani, u përfshi nga protestat, prejse ushtria përmbysi Qeverinë e zgjedhur të Aung San Suu Kyisë, më 1 shkurt.

Partia e Suu Kyisë shënoi fitore bindëse në zgjedhjet e nëntorit të kaluar, por ushtria tha se zgjedhjet janë vjedhur dhe kërkoi përsëritjen e tyre pas një viti.

Pushteti iu dha komandantit të përgjithshëm, Min Aung Hlaing.

Suu Kyi dhe anëtarë të tjerë të partisë së saj janë vendosur nën arrest shtëpiak. Protestuesit kërkojnë lirimin e tyre dhe kthimin e qeverisjes civile./21Media

Back to top button