Doktoresha e historisë Drita Bakija Gunga, u nda sot nga jeta, në moshën 77 vjeçare.

Ishte gruaja e parë në Kosovë me titullin doktor i historisë. Gratë e Kosovës ishin fokusi i hulumtimeve e studimeve të saj profesionale, duke dhënë kontribut veçanërisht për hedhje në dritë të rolit dhe aktivitetit të grave të Kosovës para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Drita Bakija Gunga ishte e angazhuar në politikë-bërjen e shqiptarëve të Kosovës në vitet 90-të. Ndër angazhimet e të  ndjerës numërohet edhe zgjedhja e saj në kryesinë e parë të Shoqatës së Gruas në mars 1990, e cila më pas u transformua në Forumin e Gruas së LDK-së.

Pos veprimtarisë shkencore, historiania Bakija Gunga, çmohet edhe për performancat e saj në Teatrin e Gjakovës, si ndër të parat aktore gra që shkelën mbi skenën teatrore.

Varrimi i të ndjerës do të bëhet të enjten, më 27 gusht, në orën 13:00, në varrezat e qytetit në Gjakovë! Varrimi bëhet vetëm në prezencë të anëtarëve të ngushtë të familjes për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia./21Media