Vdiq intelektuali e inxhinieri i hidroteknikës Galip Hoda
Ka vdekur në moshën 79 vjeçare intelektuali prizrenas, inxhinieri i hidroteknikës, Galip Hoda.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot, më 7 dhjetor 2022 në orën 12:00 në varrezat e qytetit të Prizrenit.
Pritjet për ngushëllime do të organizohen në Hotelin “Theranda’ në Prizren nga dita e enjte deri të shtunën, më 10 dhjetor.
Inxhinieri Galip Hoda është lindur në vitin 1943 në Prizren. Studimet universitare i ka përfunduar në vitin 1966 në Fakultetin e Ndërtimtarisë të Universitetit të Beogradit. Gjatë viteve 1969-1974 Galip Hoda ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës dhe anëtar i komisionit kushtetues.
Inxhinieri i shquar prizrenas, Galip Hoda gjatë veprimtarisë së tij profesionale në shërbim të Kosovës ka qenë pjesëmarrës i shumë projekteve të rëndësishme të vendit, siç ishin projekti i Liqenit të Radoniqit, projekti i Hidrocentralit të Fierzës dhe projektet tjera.
Gjatë viteve 70-80, Galip Hoda ka qenë Drejtor i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizrenit, ndërsa në periudhën e pas çlirimit të Kosovës, ka shërbyer edhe si anëtar i Bordit të Drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje publike.
Inxhinieri i Hidroteknikës, Galip Hoda me dijen dhe përvojën e tij shumëvjeçare në sektorin e ujërave, në cilësinë e bashkëpunëtorit profesional kishte kontribuar përmes shumë projekteve edhe në kuadër të UNDP-së, CDF, GTZ, IRC dhe shumë organizatave tjera ndërkombëtare.
Galip Hoda ka qenë përkrahës i madh i sportit prizrenas. Gjatë viteve 70 ka qenë anëtar i Klubit Futbollistik “Liria”, ndërsa nga viti 1990 deri në vitin 1999 ka shërbyer si sekretar gjeneral i klubit.
I ndjeri ka qenë humanist dhe aktivist i madh. Gjatë viteve 90 ishte shquar për kontributin e tij të dalluar në kuadër të Lëvizjes gjithëpopullore për çlirimin e Kosovës.