Shefi i EULEX-it i shqetësuar me situatën në veri: Po monitorojmë situatën

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ka shprehur shqetësim pas incidenteve të së martës në veri të Kosovës.
Ai në Twitter iu ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të vetëpërmbajtur, derisa ka bërë me dije se janë duke monitoruar situatën bashkë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.
“Të shqetësuar për incidentet e djeshme në veri të Kosovës. Çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe të gjithë duhet të qëndrojnë të qetë dhe të përmbajtur. EULEX do të vazhdojë të monitorojë situatën në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe NATO-KFOR-in”, ka shkruar Wiemark në Twitter.
Disa grupe të qytetarëve serbë në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut penguan të martën hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar edhe incidente, por pa pasoja në njerëz.
Policia e Kosovës ka njoftuar dje se “persona, grupe dhe të dyshuar të maskuar dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në veri të Kosovës”, duke përdorur “mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav”.
Në këto dy komuna, ashtu si edhe në Zveçan dhe Leposaviq – që të gjitha të banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës – pritet të mbahen zgjedhjet për kryetarë, më 18 dhjetor./21Media


 

Back to top button