Kaloni te përmbajtja kryesore

​Vdiq ish-kryeprokurori Ismet Kabashi

​Të dielën më 13 prill, ka ndërruar jetë ish-Kryeprokurori i Shtetit dhe njëherësh ish-kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ismet Kabashi.

Familjarët e tij njoftuan se Kabashi do të varroset të hënën më 14 prill në varrezat e Shipolit në Mitrovicë.

Ndërkohë, sot do të mbahet një akademi përkujtimore e cila fillon në orën 15:00, në sallën e Kulturës, në Mitrovicë.

Ndërkohë, telegram ngushëllimi kanë dërguar ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj dhe ish-kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi.

Kabashi ka qenë edhe gjyqtar dhe kryetar i Gjykatës Komunale të Skenderajt, gjyqtar në Gjykatën Komunale në Mitrovicë, gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, etj.

Ai u vlerësua një figurë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë në vendin tonë, duke qenë ndër drejtuesit e institucionit të Prokurorit të Shtetit pas shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ku si rezultat i reformës në drejtësi u krijuan institucionet e reja të pushtetit gjyqësor.

Gjatë kohës sa shërbeu në sistemin prokurorial, fillimisht si prokuror dhe më pas si Kryeprokuror i Shtetit dhe Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, ai u dallua për integritetin profesional, për përkushtimin ndaj forcimit të sundimit të ligjit dhe dha kontribut të çmuar në fuqizimin e institucionit të Prokurorit të Shtetit.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button