Vdiq Moshe Landsman, Bashkëthemelues i Departamentit të Psikologjisë në UP

Ka vdekur  në moshën 75 vjeçare profesori izraelit Moshe Landsman, i cili ishte bashkëthemelues i Departamentit të Psikologjisë në Universitetin “Hasan Prishtina”, në Prishtinë.

Lajmi u bë i ditur nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës (QKRVT)

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për humbjen e Prof. Moshe Landsman. Një figurë që e tejkaloi rolin e profesorit dhe pedagogut, duke u shndërruar kështu në një figurë emblematike i cila ka mbështetur, përkrahur dhe inkurajuar të tjerët. “, thuhet në njoftimin e QKRVT-së.

“Para pak ditësh ai ishte në mesin tonë, në ambientet e QKRMT-së, i shoqëruar me qetësinë dhe thellësinë e tij. Për shumë vite, ne si QKRMT, kishim një bashkëpunim të ngushtë me Prof. Moshen. Ai po ikën duken lënë gjurmë të thella, jo vetëm në fushën e dijes dhe nxënies, por edhe në shtytjen dhe inkurajimin e talenteve të reja drejt sukseseve të dëshmuara profesionale, në nivel shoqëror dhe shtetëror për Kosovën. Prof. Moshe ishte një model i gjallë i humanizmit, përunjësisë dhe filantropisë. Vdekja shpesh duket si e pabesë dhe shpërfaqet në befasi por në thelb është e dëlirë dhe shton dashurinë e atyre që mbesin në jetë. Ne do të vazhdojmë ta njohim kontributin e tij dhe ta kujtojmë atë me dashuri. I shprehim ngushëllime tona të thella familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij!”, përfundon njoftimi.

Përveç kontributit në fushën e psikologjisë, profesori Landsman erdhi në Kosovë dhe ndihmoi të mbijetuarat e dhunës seksuale.

Landsmanin vitin e kaluar u vlerësua nga Ministria e Arsimit me çmim nderi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e arsimit në Kosovë, me theks të veçantë në fushën e psikologjisë./21Media

Back to top button