“Vdiq nga pikëllimi” bashkëshorti i mësueses së vrarë

Burri i një prej mësuesve të vrarë nga të shtënat masive të së martës në Uvalde, Teksas, thuhet se ka vdekur nga një atak në zemër.
Joe Garcia ishte burri i Irma Garcia, e cila dha mësim për 23 vjet në shkollën fillore Robb.
Garcia ishte një nga dy mësueset e vrara nga një adoleshent i armatosur në të shtënat që lanë të vdekur 21 persona, përfshirë 19 fëmijë.
Çifti, i cili ishte i martuar prej 24 vitesh, ka lënë pas katër fëmijë, transmeton rtv21.tv.
Deri të enjten mbrëma, një mbledhje fondesh në internet për familjen Garcia kishte mbledhur gati 1.6 milion dollarë nga një objektiv fillestar modest prej 10,000 dollarësh.
Faqja GoFundMe tha se ishte organizuar nga kushërira e zonjës Garcia, Debra Austin, e cila shkroi “Unë me të vërtetë besoj se Joe vdiq nga një zemër e thyer”.
Në Twitter, një nip i Garcia, John Martinez, tha se Garcia kishte “vdekur për shkak të pikëllimit” pas vrasjes së gruas së tij.
Një filial lokal i Fox ka raportuar se Garcia vdiq nga një atak fatal në zemër.


Pas të shtënave vdekjeprurëse në Uvalde, Martinez tha për “New York Times” se zonja Garcia u gjet nga oficerët “duke përqafuar fëmijët në krahët e saj deri në frymën e saj të fundit”.
“Ajo sakrifikoi veten duke mbrojtur fëmijët në klasën e saj” shkroi ai në një faqe për mbledhjen e fondeve. “Ajo ishte një heroinë”./21Media

Back to top button