Vdiq një ushtar 25 vjeç, ishte alvanosur në poligonin e Krivollakut

Një ushtar 25 vjeç ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike në Shkup ndërsa shkaqet për vdekjen e tij do t’i hetojë prokurori. Ushtari paraprakisht është alivanosur në poligonin “Krivolak” gjatë marshit me distancë të gjatë. Siç njoftuan nga Shtabi i Përgjithshëm, aty është mbajtur kurs për pjesëmarrje në batalionin e forcave speciale.
Shtabi i Përgjithshëm bën me dije se ushtari i ri është transportuar menjëherë me një mjet të spitalit ushtarak dhe i shoqëruar nga një mjek ushtarak në qendrën shëndetësore në Negotinë. Nga aty ushtari është dërguar në Klinikën e Anestezisë dhe Reanimacionit në Shkup, ku pak pas orës 23 është konstatuar vdekja. Sipas njoftimit, ai ishte në gjendje të mirë shëndetësore kur filloi kursi rreth njëzet ditë më parë.
Rrethanat e rastit tragjik do të shqyrtohen nga prokurori i cili do të udhëheqë procedurën e mëtutjeshme hetimore, ndërsa ndërkohë pritet raporti zyrtar për shkaqet e vdekjes së ushtarit, pas obduksionit të kryer nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Shkup./TV21