Vdiq pas aksidentit në punë, familja dyshon se nuk mori trajtimin e duhur mjekësor
Xhaxhai i të ndjerit tha se edhe pse viktima humbi dorën, gjendja e tij ishte stabile
Sh.F nga Peja vdiq ditë më parë pasi pësoi aksident në vendin e punës, ku ai humbi dorën e më vonë dhe ndërroi jetë, në QKU. Ai punonte në një kompani betoni dhe pasi një nga makineritë i këputi dorën, ai u dërgua fillimisht në Spitalin e Pejës, e nga aty pastaj për në në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.
Xhaxhai i të ndjerit, shpreh çudi se si erdhi deri te vdekja e nipit të tij, pasi viktima edhe pse e humbi dorën, gjendja e tij ishte stabile. Ai tutje hedh dyshime, se dora e viktimës, nuk është dërguar përnjëherë me të në QKUK.
“Dora e këputur nuk është trajtuar si duhet, dora është gjetur në qese, flitet që dora s’ka shkuar përnjëherë me viktimën, dora ka shkuar vetëm në qese”, tha xhaxhai i të ndjerit.
Ai tha se viktima rrugën Pejë-Prishtinë e ka bërë me vetëdije.
“Madje ka thënë mos e vozitni makinën shpejtë se mos po bëjmë aksident, dora më shkoi, po mos të shkojmë edhe ne. Kam shkuar në QKUK, më kanë thënë që operacioni u kry me sukses, fjalët kanë qenë për mirë, deri te vdekja s’ka pas arsye me ardh, tensionin e ka pas mirë”, tha ai.
Megjithatë, sipas tij po pritet fjala e institucioneve përkatëse për të kuptuar se çka ka ndodhur në të vërtetë.
Naim Sahiti, Zyrtar për Informim në Spitalin e Pejës mohoi se viktima është nisur për QKUK pa ekstremitetin e dorës.
“Pyetjes suaj se mos është harruar ekstremiteti i dorës në Spitalin e Pejës në mënyrë kategorike e mohojmë dhe e përsërisim që ekstremiteti së bashku me pacientin janë bartur me të njëjtën autoambulancë”, bëhet e ditur në përgjigjen e Sahitit.
Ai tregoi se pacientin e pranuan në gjendje të rëndë në ora 15:00, kurse për QKUK është nisur në ora 16:00.
“Në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë ky pacient është trajtuar me Infuzion, antibiotik, injeksione për dhimbje, i është bërë një intervenim i nevojshëm me qëllim të ndaljes së gjakderdhjes për aq sa ka qenë e mundur dhe pacienti është përgatitur për tu transferuar për në QKUK. Në ora 16 pacienti është nisur për në QKUK dhe gjatë rrugës i është dhënë edhe dy doza me gjak, ndërsa së bashku me pacientin ka shkuar edhe ekstremiteti i dorës i vendosur në tretje fiziologjike”, sqaron tutje Sahiti.
Ai shtoi se QKUK –ja është lajmëruar për rastin dhe menjëherë në hyrje të Emergjencës pacienti, dhe ekstremiteti i janë dorëzuar ekipit mjekësor të QKUK-së.
Kurse, zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu nuk ka dhënë më shumë informata lidhur me gjendjen në të cilën është pranuar viktima-nëse është pranuar përnjëherë me dorën ose jo. Ai tha për kp se edhe përkundër përkujdesjes nga stafi i mjekimit intensiv qendror, viktima vdiq meqë gjendja ishte e rëndë. I kontaktuar nga kp, Shefi i Intensivës, Naim Kuqi tha se “nuk di” asgjë lidhur me këtë rast.
Ai është varrosur para tre ditësh. Pas këtij rasti, por jo vetëm pati edhe reagime publike për kushtet e rënda të punëtorëve në Kosovë, sidomos në sektorin privat.
Aksidentet në vendet e punës vetëm për 9 muaj të këtij viti kanë marrë jetën e 18 personave, ndërkohë që në muajin nëntor, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica tha se do të angazhohet që siguria në punë të jetë ashtu siç kërkohet, duke shtuar kontrollin ndaj Inspektoratit të Punës.