Vdiq Prof. Dr. Shefqet Berisha
Ka vdekur dje në moshën 87 vjeçare, Prof. Dr. Shefqet Berisha, Nefrolog – themelues i Qendrës së Dializës në Prishtinë.
Varrimi i të ndjerit bëhet sot, në varrezat e Arberisë në Prishtinë në ora 16:00.
Prof. Dr. Shefqet (Rifat) Berisha, u lind më 13 Maj 1935 në Suharekë, Kosovë.
Shkollën katër vjeçare e kreu në Suharekë, gjimnazin e ultë dhe të lartë në Prizren. Ishte gjenerata e parë e gjimnazit në gjuhën shqipe në Prizren.
Në vitin 1956 u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup. Pasi i kreu me sukses tre vite të studimeve, vendosi të zhvendosej në Rjeke të Kroacisë. Në vitin 1959 regjistroi vitin e katërt në Fakultetin e Mjeksisë në Rijeke, që ishte degë e Fakultetit të Zagrebit në Kroaci, dhe mori titullin akademik Doktor i Mjeksisë në vitin 1962.
Specializimin e përfundoi në Shkup në vitin 1971, dhe më pas vazhdoi punën në Prishtinë si Specialist i Mjeksisë Interne.
Në vitin 1972 u hap Fakulteti i Mjeksisë në Prishtinë, Dr, Shefqeti u zgjodh Asistent i Mjeksisë Interne dhe më vonë ishte Profesor i kësaj lënde deri në pensionim. Më 1975 vijoi studimet specialistike të Nefrologjise dhe pas dy vitesh mori titullin akademik:Dr. Shefqet Berisha – Internist – Nefrolog
Në vitin 1977 në kuadër të Spitalit të Përgjithshëm në Prishtinë, ai hapi Repartin e Nefrologjisë dhe më vonë Qendrën e Dializës të cilën e udhëhoqi deri në pensionim.
Doktoroi në vitin 1980 me temën: “Nefropatia Endemike në Regjionin e Vitisë – Kosovë”, dhe mori titullin akademik: Profesor Doktor i lëndës Interne.
Shefqet Berisha la pas bashkëshorten Igballen dhe tre femijë – Luanin, Florën dhe Drenin si dhe gjashtë nipa e mbesa./21Media
