Veliu homazhe te komplekset e dëshmorëve të Llapit

Kryetari i Podujevës bëri homazhe te  kompleksi i heroit, Zahir Pajaziti, te “Baza e parë e UÇK-së” në fshatin Lladoc dhe te varret e dëshmorëve të tjerë llapjanë

Me rastin e 5 Majit – Ditës së Përkujtimit të Dëshmorëve dhe të Rënëve, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule te komplekset memoriale dhe varrezat e dëshmorëve llapjanë, të rënë në periudha të ndryshme të historisë së Kosovës.

Kryetari Veliu, bashkë me një delegacion të komunës, vizituan Kompleksin Memorial të Heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti në Orllan, Kompleksin Memorial “Baza e parë e UÇK-së” në fshatin Lladoc dhe varret e dëshmorëve të tjerë llapjanë, ku bënë homazhe dhe vendosën lule.

“Heronjtë, dëshmorët dhe martirët e të gjitha kohërave janë dëshmia dhe zotimi për të duhurën dhe të vullnetshmen. Liria është aura dritëplotë e veprës së tyre sipërore”, tha kryetari Veliu.

Me rastin e Ditës së Përkujtimit të Dëshmorëve dhe të Rënëve delegacione nga Komuna e Podujevës kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur lule edhe te varret e dëshmorëve dhe të rënëve të tjerë, të rënë në periudha të ndryshme të historisë së Kosovës./21Media

Back to top button