Veliu paralajmëron edhe aksione tjera gjatë ditëve në vijim

 

Sot në mbledhjen e Qeverisë, ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, është deklaruar lidhur me aksionin e policisë në Karaçevë të Kamenicës.

Veliu tha se në drejtim të luftimit, parandalimit dhe që t’u pamundësohet vazhdimi i veprimtarisë kriminale që rrezikojnë rendin publik, sistemin e sigurisë u implementua plani operativ që u realizua në tri operacione të njëkohshme.

“Karaçevë zona e kazinove, disa fshatra të Kamenicës dhe në qytet dhe në Prishtinë, Gjilan, Viti dhe Lipjan. Janë arrestuar 37 persona, ku 30 janë ndaluar me vendim të prokurorit për procedurë të mëtejme. Të 30 të ndaluarve iu është vazhduar masa e ndalimit për 30 ditë, në zonën e Karaçevës janë sekuestruar rreth 220 aparate, 6 shtëpiza kompjuterike, një armë me gaz, një karikator dhe një kombi me kafshë të kontrabanduara. Pas ekzaminimit dhe tërheqjes së provave materiale në këtë zonë janë rrënuar 13 objekte”, tha Veliu.

Veliu deklaroi se në operacionin e realizuar në Prishtinë u ndaluan tre të dyshuar, ku gjatë kontrollit të shtëpive u gjetën, një set pokeri, 4 palë letra të bixhozit, një karikator i zbrazët.

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka paralajmëruar se mund të ketë vazhdim të aksionit edhe në ditët e ardhshme.

“Po ashtu dhe Gjilan, Viti janë kontrolluar 28 lokacione, ku morën pjesë njësitë policore, njësitë e rendit, inspektorati policor, zyrtarë të tjerë ligjorë. Hetimet vazhdojnë dhe mund të ketë vazhdim të aksionit edhe në ditët në vazhdim”, tha Veliu./21Media

Back to top button