Vendi që regjistroi rastin e parë me Covid-19 që nga fillimi i pandemisë

Tonganët kanë nxituar të vaksinohen kundër koronavirusit pasi kombi ishullor i Paqësorit konfirmoi rastin e parë të premten.
Infeksioni u zbulua në një person plotësisht të vaksinuar, i cili kishte mbërritur me një fluturim riatdhesimi nga Zelanda e Re.
Kryeministri i Tongës, Pohiva Tu’i’onetoa paralajmëroi se banorët në ishullin e Tongatapu përballen me një bllokim të mundshëm javën e ardhshme
Tongan ishte një nga vendet e fundit që nuk kishte raportuar infeksione, transmeton rtv21.tv.
Mbi 100,000 njerëz jetojnë në ishull, që ndodhet në veri-perëndim të Zelandës së Re.
Vetëm një e treta e popullsisë atje janë vaksinuar plotësisht. Por koordinatori kombëtar i imunizimit, Afu Tei i tha agjencisë së lajmeve AFP se pas këtij rasti mijëra njerëz ishin paraqitur në qendrat e vaksinimit për të marrë dozat e tyre.
Ministria e Shëndetësisë e Zelandës së Re tha se individi kishte rezultuar negativ përpara se të largohej nga vendi. Por autoritetet në Tonga thanë se doli pozitiv pas një testi rutinë të enjten, ndërsa ishte në izolim të detyrueshëm të menaxhuar.
Siale Akau’ola, shefi ekzekutiv i ministrisë së shëndetësisë së Tongës, u tha gazetarëve se personi i infektuar kishte marrë një dozë të dytë të vaksinës në mes të tetorit dhe se autoritetet ishin të kënaqur që personi nuk do të sëmurej rëndë.
Që nga fillimi i pandemisë, më shumë se 246 milionë raste të koronavirusit janë raportuar në mbarë botën dhe gati 5 milionë vdekje të lidhura me Covid-in, sipas një raporti nga Universiteti Johns Hopkins.
Virusi ende nuk është përhapur në disa vende ishullore në Paqësor si Tuvalu.
Vende të tjera si Koreja e Veriut dhe Turkmenistani nuk kanë raportuar ende ndonjë rast, por ekspertët pajtohen se virusi mund të jetë i pranishëm edhe nëse nuk është konfirmuar zyrtarisht./21Media

Back to top button