Vendimi për mjeket që trajtuan Arbenita Spahiun
Të pandehurat janë akuzuar për vepër penale
Gjykata Themelore në Gjilan sot ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të pandehurave M. Sh. H. Z. dhe V. K.
Të pandehurat M. Sh. dhe H. Z. janë akuzuar nga Prokuroria Themelore e Gjilanit se me 3 mars të vitit të kaluar në Spitalin Regjional në Gjilan, me rastin e trajtimit të pacientes, tani e ndjerë A. S., gjatë dhënies së ndihmës mjekësore, me dashje eventuale kanë përdorur mjetet e papërshtatshme të mjekimit ndaj pacientes dhe nuk i kanë ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore gjatë lindjes, ndërsa e pandehura V. K. si mjeke kujdestare në kundërshtim me detyrat e saj, ka refuzuar dhe nuk i ka ofruar ndihmën mjekësore pacientes.
Trupi gjykues pas disa seancave të mbajtura, shqyrtimit të provave, dëgjimin e ekspertizës dhe super ekspertizës, nuk ka arritur të vërtetojë që këto të pandehura kanë kryer veprat penale.
Të pandehurat M. Sh. dhe H. Z. janë akuzuar për veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor nga neni 260 paragrafi 4 e lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, ndërsa e akuzuara V. K. është akuzuar për veprën penale “Mos dhënia e ndihmës mjekësore nga neni 261 paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit, brenda 15 ditësh.
Arbenita Spahiu vdiq para një viti gjatë lindjes në Spitalin e Gjilanit.