Vendoset gurthemeli i QKMF-së në Drenas, investimi kap vlerë afër tre milionë euro

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, së bashku me Kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, vendosën gurthemelin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Sipas njoftimit të Qeverisë ky projekt ka vlerë afër tre milionë euro.
“I nënshkruar me 15 nëntor të këtij viti, po realizohet si rezultat i Marrëveshjes së Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komunës së Drenasit, e i cili pritet të finalizohet dhe të funksionalizohet në shtator të vitit 2025.”, thuhet në njoftim.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, me sipërfaqe prej 4235 metra katrorë, parashihet të ketë kushte të dinjitetshme për stafin mjekësor dhe kushte të mira për shërimin e të gjithë pacientëve.
“Qendra do të ofrojë shërbime në repartin e radiologjisë, emergjencës, të gjinekologjisë, mjekësisë familjare, si dhe shërbime teknike. Ajo do të ketë podrumin, përdhesen dhe katin e parë, si dhe do të ketë vend për administratën .Kryeministri Kurti uroi qytetarët e Drenasit për fillimi e këtij projekti, teksa theksoi se synimi kryesor i tij dhe i Qeverisë së Republikës së Kosovës është që shërbimi dhe kujdesi mjekësor të jenë edhe sa më cilësorë edhe sa më afër qytetarëve.”, përfundon njoftimi/21Media