Vendoset gurthemeli për ndërtimin e Tregut të Gjelbër në Podujevë
Është vënë gurthemeli për ndërtimin e Tregut të Gjelbër në Podujevë.
Këtë e ka bërë të ditur kreu i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi.
“Në vazhdën e shumë projekteve të mëdha e transformuese që po zhvillohen në Podujevë, sot vendosëm gurthemelin edhe për ndërtimin e një projekti tjetër madhor, atë të Tregut të Gjelbër, një projekt shumë i rëndësishëm për fermerët tanë, e ku mori pjesë edhe Kryeministri Albin Kurti”, ka shkruar Bulliqi në Facebook.
Sipas tij, vlera e këtij projekti kap shumë e rreth 1 milion e 500 mijë eurove.
“Ky projekt, me vlerë totale prej 1,440,787.30 euro, është bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Podujevës dhe Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, e cila kontribuon me 400 mijë euro, ndërsa pjesën tjetër e mbulon Komuna. Tregu i Gjelbër përveç që do të ofrojë kushte moderne për fermerët dhe shërbime më të mira për qytetarët që furnizohen me produkte ushqimore, do të ndikojë edhe në zhvillimin ekonomik lokal”.