Vendoset lokacioni ku do të ndërtohet Teatri i Operas dhe Baletit
Është caktuar lokacioni i ndërtesës së Teatrit të Operës dhe Baletit. Hapësira e destinuar për këtë ndërtesë është parkingu aktual prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
“Vazhdojmë me vendosmëri, edhe një hap i rëndësishëm drejt ndërtesës së Teatrit të Operas dhe Baletit”, ka thënë Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
Çeku tutje ka thënë se shumë shpejt do të shpallin konkursin ndërkombëtar të projektimit. “Ashtu siç jemi zotuar nga fillimi, Teatri i Operas dhe Baletit do të bëhet. Institucionet dhe artistët tanë të operas, baletit dhe filharmonisë do ta kenë ndërtesën e tyre të dinjitetshme e shumë të merituar. Hapësira e destinuar për këtë ndërtesë është parkingu aktual prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë, pas miratimit të propozim vendimit në Kuvendin e Komunës së Prishtinës”, ka shkruar Çeku në Facebook.
Ai ka shprehur mirënjohje për të gjithë anëtarët e Kuvendit të Komunës për votën e tyre dhe kryetarin e komunës Përparim Rama për bashkëpunimin në këtë rast.
“Qeveria e Kosovës do të bëj më të mirën për t’i zbatuar të gjitha fazat pasuese me efikasitet dhe cilësi, deri në momentin e inaugurimit të hapësirës më të madhe kulturore në shtetin tonë”, ka shkruar Çeku në Facebook./21Media