Veprimet e fundit të Speciales, PDK-ja kërkon paanshmëri e transparencë të plotë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK)  ka reaguar pas zhvillimeve tw fundit që lidhen me veprimet e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Në reagim të PDK-së thuhet se “Dhomat e Specializuara janë krijuar për të siguruar drejtësi bazuar në standardet evropiane e jo për të krijuar spektakle publike në emër të saj”.

“PDK thekson rëndësinë e ruajtjes së standardeve më të larta të drejtësisë dhe të paanshmërisë, që janë gurthemeli i funksionimit të çdo institucioni gjyqësor, përfshirë Dhomat e Specializuara. Besojmë fuqimisht se drejtësia dhe paanshmëria nuk janë vetëm kërkesa, por kushte të domosdoshme për një proces të drejtë dhe të besueshëm. Dhomat e Specializuara u krijuan për të siguruar drejtësi, bazuar në standardet evropiane dhe jo për të krijuar spektakle publike në emër të saj. Çdo devijim nga ky mandat, përmes veprimeve që mund të minojnë besimin e qytetarëve dhe integritetin e drejtësisë, konsiderojmë se është i gabuar. Është thelbësore që të gjitha proceset e zhvilluara nga Dhomat e Specializuara të jenë të bazuara në transparencë të plotë dhe pa tejkaluar kompetencat e tyre”, thuhet në reagim të PDK-së.

Të enjten  Specialja ka arrestuar  Isni Kilajn, Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun, ndërsa është bastisur shtëpia e Hajredin Kuçit.

Back to top button