Veriu ende i bllokuar, Policia për RTV21 thotë se situata është e qetë

Veriu i Kosovës është ende i bllokuar nga qytetarët serbë të cilët po protestojnw kundër arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti për portalin rtv21.tv ka thënë se situata në veri gjatë natës edhe sot vazhdon të jetë e qetë.
“Nuk ka pasur diçka të rëndësisë së veçantë nga spektri i sigurisë”, ka thënë Hoti.
Ndërkohë, mediat serbe raportojnë se shkollat fillore dhe të mesme në veri të Kosovës nga sot nuk do të punojnë.
Për shkak të ngjarjeve në Kosovë është mbajtur seanca e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Serbi. Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka bërë të ditur se është formuar Shtabi i Krizave, i cili do të raportojë rregullisht për gjendjen në terren.
Disa serbë lokalë në veri të Kosovës, qysh më 10 dhjetor, ngritën barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pret që misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, t’i largojë barrikadat në veri.
Komuniteti ndërkombëtar bëri po ashtu thirrje për largimin e barrikadave. Ambasadat e SHBA-së në Prishtinë dhe Beograd thanë se arrestimi i Pantiqit “po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve”./21Media

Back to top button